Mbrëmjen e kaluar në emisionin investigativ italian "Le Iene" u transmetua historia e trishtë e një familjeje shqiptare. Alvin, lindur dhe rritur në Itali u rrëmbye nga e ëma 5 vjet më parë dhe iu bashkua Shtetit Islamik në Siri.  Vogëlushi kërkohej nga babai i tij, Afrim Berisha që prej natës së 12 dhjetorit 2014 kur bashkëshortja e tij, Valbona Berisha largohet nga Italia.

Çifti shqiptar, prindër të 3 fëmijëve, Alvin 6 vjeç e të dy vajzave më të rritura, jetonin në Itali prej vitit 1995. Hetimet e autoriteteve policore duke ndjekur lokalizimin e telefonit celular të Valbonës duke zbardhur rrugëtimin e saj deri në Siri.

Nga aeroporti i Bergamos ajo ka udhëtuar drejt Stambollit e më pas ka mbërritur në Siri. Prej gati 5 vitesh Afrim Berisha është vënë në kërkim të djalit të tij, prej të cilit ka mundur të marr vetëm një letër ku i shkruante se e kishte marrë malli shumë e donte të kthehej në shtëpi.

Gazetarët italianë kanë mundësuar pak ditë më parë udhëtimin e babait shqiptar në kampin Al-Hol të Sirisë, vendi ku mbahen të burgosur rreth 70 mijë persona, 90% e të cilëve janë gra e fëmijë.

Autoritetet kurde kanë informuar se Valbona Berisha ka mbetur viktimë gjatë bombardimeve të fundit në Siri ku ishte martuar me një xhihadist me të cilin kishte 3 fëmijë të tjerë. Ndërsa Alvin, sot 11 vjeç është gjallë e i vetëm në kamp, ku jeton së bashku me fëmijët e tjerë jetimë.

"Le Iene" kanë bërë të mundur që pas 5 vitesh Alvin ka mundur të përqafojë babain e tij. Ai ka harruar gjuhën italiane e komunikon në shqip. Kërkon të shkojë në shkollë e të takojë gjyshin. Fizikisht nuk është mirë pasi gjatë bombardimeve ku mbeti viktimë nëna e tij është plagosur në njërën këmbë që i vështirëson ecjen.

Gazetarët italianë vihen në kontakt me ambasadorin shqiptar në Turqi të cilit i kërkojnë ndihmë për ta nxjerrë vogëlushin Alvin nga kampi Al Hol. Por me gjithë premtimet asnjë aksion konkret nga autoritetet shqiptare. Forcat kurde qe ruajnë kampin nuk lejojnë largimin e vogëlushit shqiptar pa praninë  e një funksionari shqiptar dhe kështu, i ati detyrohet të ndahet nga djali i tij, i cili rikthehet në kampin që rrezikohet nga bombardimi i forcave turke.