Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy persona për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike, ndërsa njëri prej tyre rezultonte i shpallur në kërkim që nga dhjetori i vitit të kaluar.

Njoftimi i policisë:

Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim, si dhe për parandalimin e goditjen e shprëndarjes së drogave të forta në doza të vogla.Kapet dhe ndalohet shtetasi S.SH, 26 vjeç, banues në Tiranë, i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.

Ky shtetas në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, të cilët janë arrestuar në flagrancë më datë 01.12.2018,  shpërndanin lëndë narkotike canabis sativa në doza të vogla në rrugën “Bego Hoxha”, ku në momentin e ndërhyrjes nga ana e punonjësve të policisë të Komisariatit të Policisë Nr.6 Tiranë, shtetasve të arrestuar i’u gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale rreth 355 gramë lëndë narkotike cannabis sativa.

Shtetasi S.SH mundi të largohej dhe u shpall në kërkim, ku më datë 20.05.2019 është kapur nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë.

–Po në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla,  nga  forcat ”Shqiponja” të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë është goditur një rast i shpërndarjes së heroinës dhe konkretisht:

Në rrugën “Njazi Demi” Tiranë në stolat e një lulishteje, në orët e vona të mbrëmjes, nga forcat “Shqiponja “, është kapur dhe arrestuar në flagrancë  për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”,  shtetasi: I.A. 36 vjeç,  lindur në Tiranë, pasi u kap në flagrancë me katër doza heroinë. Materialet e mësipërme  do t’i  referohen  prokurorisë  së  Rrethit Gjyqesor Tiranë për veprime të mëtejshme hetimore.