Policia e Fierit ka arrestuar shtetasin Petrit Hykaj 60-vjeç, si dhe ka shpallur në kërkim djalin e tj 29-vjeç, Shkëlqim Hykaj, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tyre në fshatin Gorishovë janë gjetur 2.2 kg kanabis, një peshore elektronike dhe një armë gjahu pa leje.

Policia bën me dije se ky operacion është rezultat i punës disa mujore.

Po ashtu mësohet se vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i policisë:

Policia ka goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, pas një hetimi disa mujor.

Sekuestrohet lëndë narkotike cannabis sativa dhe një armë gjahu pa leje, bie në pranga një shtetas, shpallet në kërkim një tjetër.

Në vijim të punës për parandalimin dhe ndëshkimin e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, nga Komisariati i Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, pas një hetimi disa mujor, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. H., 60 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi Sh. H., 29 vjeç, banues në Gorishovë, Fier.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e këtyre shtetasve, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 2.2 Kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, e përgatitur gati për shitje, një peshore elektronike dhe një armë gjahu pa leje.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.