Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën detyrim paraqitjeje për dy mjekët e arrestuar një ditë më parë pas vdekjes së 25-vjeçares Rexhina Debrova.

Prokurori Xhelian Seferi pasi referoi para gjykatës hetimin e plotë të çështjes në ngarkim të dy mjekëve, kërkoi që ndaj tyre të caktohej masa “Detyrim Paraqitje”. Edhe Gjyqtarja Pajtime Fetahu pasi u tërhoq për vendim bëri me dije se la në fuqi kërkesën  e Prikurorit.

Ndërsa Demir Çiftja, avokat i mjekut reanimator Nikollaq Thano kërkoi lirimin e menjëhershëm të klientit të tij. Sipas avokatit , arrestimi i reanimatorit Nikollaq Thano është i paligjshëm. Edhe Ilir Murra, avokati i mjekut kardiolog Mehmet Ibaj kërkoi lirimin e menjëhershëm të klientit të tij. Sipas avokatit Murraj, arrestimi i mjekut kardiolog është i paligjshëm dhe ndaj tij nuk duhet të jepet asnjë masë.

Seanca për masën e sigurisë u zhvillua paraditen e sotme mes tensioneve, pasi familjarët e viktimës, me foshnjën jetime në duar, protestuan para gjykatës duke kërkuar që drejtësia të vihet në vend. 25-vjeçarja Debrova ndërroi jetë vetëm një orë pasi solli në jetë foshnjën e saj, pas një komplikacioni në mushkëri.