Rreth 5 mijë euro dhe 2 deri në 3 milionë lekë të vjetër dyshohet se ka pasur në kasafortën e kantinës së verës “Gjergj Kastrioti” që u grabit sot në orët e para të mëngjesit në Rrashbull.

Sipas burimeve, “DurrësLajm” mëson se grupi hetimor ka sekuestruar kamerat e sigurisë dhe po këqyr vendin e ngjarjes për të zbuluar ndonjë gjurmë apo shenjat e gishtërinjve që mund të kenë lënë autorët.

Tre persona me maska, kanë hyrë në ambientet e kantinës, kanë lidhur rojën dhe në një nga zyrat kanë marrë një kasafortë. Më pas kanë marrë edhe mjetin e kantinës, furgon tip “Benz” me targa DR 3538 D dhe janë larguar.

Policia ka shpallur në kërkim furgonin dhe ka marrë në pyetje të gjithë punonjësit e kantinës, të cilët mund të ndihmojnë me dëshminë e tyre për identifikimin e autorëve, nëse kanë pasur dyshime te ndonjë person i caktuar apo ndonjë klient kohët e fundit.

Vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë dhe identifikimin e kapjen e 3 autorëve.