Autoritetet doganore italiane kanë sekuestruar 220 kartëmonedha false të prerjes 50-euroshe në një autobus të linjës Shqipëri-Itali.

Mediet italiane raportojnë se autobusi ishte nisur nga porti i Durrësit dhe ka mbërritur gjatë mbrëmjes së djeshme në portin e Barit.

Dy shoferët e autobusit, shtetas shqiptarë të moshës 63 e 37 vjeç, janë denoncuar dhe vënë nën hetim në gjendje të lirë.

Autoritetet italiane kanë nisur një proces hetimor për të zbardhur rrugën e prejardhjes së kartëmonedhave si dhe destinacionin e tyre në treg.

Shuma e kartëmonedhave false është 11 mijë euro. Kartëmonedha nuk kanë fillin e filigramës e pllakën holografike.

S.L.