16 kg heroinë është kapur në portin e Ankonës nga Guardia di Finanza. Sipas informacioneve lënda narkotike ishte e fshehur brenda një kamioni të zbritur nga një anije që vinte nga Durrësi, raporton ANSA.

Pas konstatimit të sasisë së heroinës, agjentët e policisë italiane kanë arrestuar një 38-vjeçar shqiptar, i cili ishte drejtuesi i mjetit. Mediet italiane nuk zbardhin identitetin e shqiptarit të rënë në pranga.

Sipas të dhënave, 38-vjeçari nuk ka pranuar të flasë para autoriteteve të Ankonës. Ndërkohë, heroina e sekuestruar do t’i nënshtrohet testeve laboratorike.

Ngjarja ka ndodhur në datë 16 janar, por është bërë e ditur vetëm sot, kur ka qenë gjyqi ndaj drejtuesit të mjetit, 38-vjeçarit shqiptar. Gjykata e Ankonës e ka lënë në burg shqiptarin.

Po ashtu, autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të kuptuar se ku ishte destinacioni final i drogës, dhe veçanërisht nëse shqiptari kishte ndonjë pritës në Ankona.