Policia godet një tjetër rast të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.

Kapen 27 shtetas irakianë, të cilët kishin hyrë në Republikën e Shqipërisë në mënyrë të paligjshme, ndërsa është prangosur drejtuesi i automjetit që po transportonte shtetasit e huaj.

Në kuadër të operacionit rajonal “Joint Action Days” për luftën ndaj trafikut të qenieve njerëzore në Ballkan, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë intensifikuar kontrollet në akset rrugore Fier-Gjirokastër, Fier-Vlorë dhe Fier-Tiranë.

Si rezultat i këtyre kontrolleve të ushtruara, janë kapur 27 shtetas irakianë që kishin destinacion final vendet e BE-së.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i drejtuesit të automjetit tip autobus, shtetasi:

S. P., 54 vjeç, banues në Sarandë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.