Policia greke ka asgjësuar një grup kriminal që transportonte dhe magazinonte drogë, me qëllim trafikimin në tregun vendas. Shërbimi antidrogë shfrytëzoi informacione për të identifikuar dhe profilizuar pjesëtarët e grupit.

Pas një operacioni të kryer në Nafpaktos -Greqia Perëndimore-, në pranga janë vënë dy shtetas grekë, me moshë 36 e 41 vjeç, si dhe dy shqiptarë, njeri 27 dhe tjetri 32 vjeç.

Mësohet se 36 vjeçari grek përdorte makinën e tij për të marrë drogën nga dy shqiptarët dhe për t’ua shitur më pas bashkëpunëtorëve të tij në Athinë.

Nga hetimet rezultoi gjithashtu se ndaj 32 vjeçarit shqiptar ishte në fuqi një urdhër arresti, për çështje që lidhen me trafikun e drogës. Policia ka sekuestruar 53,2 kilogramë kanabis, një shumë parash prej 55.070 euro, 6 telefona celularë.