Arrestohet personi që qëlloi me armë zjarri në ajër dje në kompleksin “Equos” në fshatin Qehaj në Mullet, pas sherrit mes disa të rinjve. I arrestuari është Arnaldo Çiçaj 26 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim një tjetër person i përfshirë në ngjarje me inicialet E. S.

Sipas policisë, dy personat, i arrestuari dhe ai që është në kërkim, pasditen e djeshme qëlluan me armë zjarri në ajër në parkingun e kompleksit të pishinave dhe më pas u larguan me shpejtësi me një ‘Fouristradë’  për t’i shpëtuar kapjes nga policia, por vetëm njëri arriti që të arratiset.

Njoftimi i policisë:

Kapet dhe arrestohet në flagrancë personi që gjuajti në ajër me armë zjarri si dhe shpallet në kërkim një shtetas tjetër.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.1, pas marrjes të njoftimit se në fshatin Qehaj, janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri, menjeherë kanë organizuar punën dhe falë veprimeve të shpejta dhe profesionale bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të dyshuar, shtetasit A. Ç., 26 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi E.S.

Në vijim të veprimeve të para proceduriale ka rezultuar se këta dy shtetas, ditën e djeshme kanë qëlluar me armë zjarri në ajër në parkingun e një kompleksi dhe më pas janë larguar me shpejtësi për t’i shpëtuar kapjes nga Policia.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.