Një emigrant ilegal u kap me 300 mijë paund kanabis në një shtëpi në Derby të Britanisë. Me një total prej 555 bimësh, lënda narkotike ishte mbjellë në 4 dhoma në rrugën “Burton”, kur policia zhvilloi një kontroll droge më 22 gusht. Policia arrestoi shqiptari Ramiz Nergjoni, i cili i tha më vonë policisë se kishte shkuar në Britani në mënyrë të jashtëligjshme duke u ngjitur në anën e pasme të një kamioni.

Babai 53 vjeçar u përgjigj me “asnjë koment” për të gjitha pyetjet që iu drejtuan gjatë marrjes në pyetje në mënyrë zyrtare nga hetuesit, por më vonë u deklarua fajtor për prodhimin e kanabisit. Nergjoni u burgos për 16 muaj. Avokati mbrojtës, David Watts, tha se klienti i tij kishte mbërritur në pjesën e prapme të një kamioni nga kontinenti, por nuk kishte treguar se sa kohë kishte qëndruar në Derby. Ai tha:

“Para mbërritjes së tij në Britani të Madhe, ai më thotë se jetonte dhe punonte në Greqi dhe ishte një njeri me karakter të mirë jo vetëm në këtë vend, por në mbarë botën. Ai ka tri vajza në moshën 18 deri në 20 vjeç dhe më thotë se nëna e tij është shumë sëmurë në Tiranë, Shqipëri. Shqetësimi i tij kryesor është se si familja e tij do të mbetet pa të, derisa ai është në burg këtu”.