Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë një 25-vjeçar që shpërndante lëndën narkotike.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 27 doza cannabis dhe një sasi lekësh të përfituara nga shitja e lëndës narkotike.

NJOFTIMI I POLICISË

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë, në bazë të të dhënave të mbledhura në rrugë operative se një shtetas shpërndante lëndë narkotike të llojit cannabis sativa në afërsi të shkollave, kanë organizuar punën duke bërë identifikimin dhe lokalizimin e personit të dyshuar.

Në bashkëpunim edhe me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë bërë të mundur kapjen e shtetasit të dyshuar, në rrugën “Kongresi i Lushnjës”.

Gjatë kontrollit fizik, Policia i gjeti 27 doza me lëndë narkotike, shumën prej 63 500 lekësh të reja dhe një telefon celular, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për hetimin e narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. M., 25 vjeç, banues në Tiranë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”