Katër persona, mes të cilëve një femër janë arrestuar nga policia e Tiranës në sajë të operacionit të koduar "Perimetri",

Blutë e kryeqytetit kanë sekuestruar doza me heroinë e kokainë.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, finalizoi me sukses operacionin e koduar “Perimetri”, ku u bë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– B. N. (F.), 36 vjeçe, banuese në Tiranë.
– M. F., 20 vjeç, banues në Tiranë.
– M.B., 22 vjeç, banues në Tiranë.
– E. B., 40 vjeç, banues në Tiranë.

Nga informacionet e grumbulluara, dyshohej se shtetasja B. N. në bashkëpunim me vëllain e saj M. F., shisnin në qytetin e Tiranës lëndë narkotike droga të forta kryesisht Heroinë dhe Kokainë, personave të ndryshëm përdorues të lëndëve narkotike, por edhe personave të tjerë si shtetasve E. B. dhe M. B. të cilët lëndën narkotike pasi e blinin nga shtetasja B.N dh M.F, ua shisnin atë personave të tjerë përdorues të lëndëve narkotike.

Nga ana e punonjësve të policisë të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve pas një pune intensive është bërë e mundur kapja në flagrancë e personave të lartpërmendur me doza lënde narkotike, Heroinë, Kokainë, e gatshme për ta hedhur në treg .

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
27 doza me lëndë narkotike e dyshuar Heroinë.
5 doza me lëndë narkotike e dyshuar Kokainë.
Një automjet, një motor , 
6 telefona celulare dhe 1 dorezë hekuri.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.

Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes se lëndëve narkotike ” të kryer në bashkëpunim, në ngarkim të shtetasve të arrestuar B. N., M. F., M. B., E. B. dhe për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” në ngarkim të shtetasit M. F.