Një gomone e nisur nga brigjet shqiptare është kapur në Itali duke transportuar 1 ton kanabis sativa. Në pranga ra një 34-vjeçar shqiptar, i cili ishte në bordin e gomones. Ai është M.Nazëraj nga Fieri, ndërsa në kërkim policia ka shpallur bashkëpunëtorin e tij. Gomonia u ndalua pasditen e djeshme në zonën e Leçes, ndërsa në operacion mori pjesë edhe policia shqiptare, duke dhënë informacione për autoritetet italiane.

Sipas Policisë së Shtetit, gjatë ndjekjes me helikopterë të Frontex dhe skafe, trafikantët hodhën drogën ne det, por ajo u rekuperua nga Guardia di Finanza e Salentos. Afër brigjeve italiane, skafistët u përpoqën të largoheshin dhe u hodhën ne det. Por 34-vjeçari Nazëraj u arrestua, ndërsa bashkëpunëtori i tij mundi të largohej. Hetimet për këtë rast të trafikut ndërkombëtar janë në vijim.