Policia italiane ka kapur një tjetër gomone me drogë në ujërat e Adriatikut, në vijim të luftës kundër trafikut të drogës.

Guardia di Finanza italiane në bashkëpunim me rojen bregdetare të Barit kanë ndaluar një gomone të dyshimtë që po lundronte nga ujërat ndërkombëtare drejt brigjeve italiane.

Kontrolli i imtësishëm i gomones çoi në sekuestrimin e  352 kg marijuanë e ndarë në 222 pako. Droga e kapur mund t’i sillte organizatave kriminale një vlerë përfitimi prej mbi 3 milionë euro, shkruajnë mediat italiane.

Në pranga është vënë skafisti, një 41-vjeçar italian banues në qytetin e Lecces. Operacioni është kryer në bashkëpunim me repartin e Financës italiane pozicionuar në portin e Durrësit.