Gjykata e Apelit Durrës, ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me byurg, për Altin Ndocin, i arrestuar dhe i akuzuar nga prokuroria e Durrësit për vrasjen e dy vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia më 27 prill 2020.

Ndoci kishte ankimuar vendimin e shkallës së parë me pretendimin se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen, por ditën e sotme gjykata ka vendosur se ai do vijojë të qëndrojë në burg.

Përveç vrasjes së dy vëllezërve Haxhia, Ndoci akuzohet nga prokuroria për vrasjen e dyfishtë të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit ngjarje kjo e ndodhur në qytetin e Durrësit në mars.

Në pranga për këtë ngjarje ka rënë dhe i riu Klevis Alla, 22-vjeçari i cili bashkëpunoi me policinë duke treguar se ku ishin fshehur armët e krimit të përdorura në atentatin ndaj vëllezërve Haxhia. 

Dyshohet se janë armë të përdorura edhe në atentatin ndaj Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdylit.

Ndërsa arritja tek të dyshuarit përfshi Allën dhe Ndocin erdhi pasi në vendngjarje u gjetën mbetje të copëve të xhamit me mbishkrimin “Toyo…” të cilat i përkisnin mjetit ku sipas Allës ka udhëtuar ai dhe Ndoci.

Klevis Alla ka bashkëpunuar me policinë duke hedhur dritë edhe për disa ngjarje kriminale ndërsa po punohet për të faktuar deklarimet e tij edhe me prova, si në rastin e përfshirjes së bashkëpunëtorëve të Allës në grabitjen e Rinasit. Pas kësaj dëshmie ai dhe familja e tij janë marrë në mbrojtjen e shtetit deri në përfundim të këtij hetimi.