Një qytetar nga Tirana është dënuar nga gjykata për “Mashtrim”, pasi ai është akuzuar për një ngjarje që ka ndodhur me këngëtarin e muzikës popullore  Sevdaim Desa.

Prokuroria në fillim të kësaj çështjeje kishte kërkuar që të deklarohet fajtor i pandehuri N. M. për kryerjen e veprës penale të “Mashtrimi” dhe në bazë të nenit 143/1 i Kodit Penal të dënohet me gjashtë muaj burgim. Shpenzimet procedural në masën 2.000 lekë ti ngarkohen për tu paguar të pandehurit.

Ndërsa pala paditëse me anë të avokatit kërkoi një dënim alternativ atë të dënimit me 6 muaj burgim dhe i pandehuri të paraqitet tek shërbimi i provës në referim të nenit 59 të Kodit të Procedurës Penale, shkruan “Panorama”.

Dëshmia e këngëtarit

Para dy vjetësh një shoku im që quhet Sovran Çela më ka marrë në telefon dhe më ka thënë që është një person që ka një agjenci.  dhe më pyeti nëse unë isha i interesuar për të marrë pjesë në aktivitet muzikorë që organizonte kjo agjenci. Unë i kam thënë Sovranit se jam dakord dhe menjëherë kam shkuar tek universiteti “Aleksander Moisiu ” në Currila Durrës dhe kam takuar shtetasin N.M. Unë kam biseduar me N. dhe prej dy vjetësh ai ka organizuar koncerte, mbledhje për aktrime, për modelim, ku unë kam marrë pjesë si këngëtar në këto organizime. Mbas disa kohësh bashkëpunimi me N., një ditë unë i kam kërkuar për të më siguruar një vizë për të shkuar në Angli për të dhënë koncerte muzikore atje dhe N. me ka thënë se do te flas me një person në Ambasadën Britanike për këtë punë dhe të ndihmoj. . Të nesërmen unë jam takuar me N. te lokali Mulliri i vjetër përballë Tajvanit në Tiranë dhe N. me ka shpjeguar se duhet të kem me vete 200 euro për aplikimin, pashaportë dhe certifikate familjare dhe CV e lokaleve në të cilat unë kisha kënduar. Unë i kam dhënë N. 200 euro për aplikim, mbas një muaji N. me ka marrë në telefon përsëri dhe me ka thënë se duhen edhe 800 euro për kartonin e vizës. Unë kam rënë dakord dhe jam takuar përsëri me N. dhe i kam dhënë 850 euro të lokal Galeria që ndodhet mbrapa ndërtesës së Teatrit të Operës Tiranë. Unë më pas jam takuar disa herë me N. dhe i kam thënë ose me jep vizën ose me kthe lekët mbrapsht, por ai nuk më ka nxjerrë as vizën dhe as lekët nuk mi ka dhënë. I kam rënë telefonit disa herë por ai nuk përgjigjej dhe ka rreth dy muaj që unë nuk kam kontakte me të.

Vendimi i gjykatës

Deklarimin fajtor të të pandehurit N. M., për kryerjen e veprës penale- “Mashtrimi”,- parashikuar nga neni 143/1, të Kodit Penal, dhe dënimin e tij në bazë të kësaj dispozite me gjashtë muaj burgim.

Vuajtja e vendimit për të pandehurin N. M. do të fillojë nga dita e ekzekutimit të këtij vendimi. Dënimi do të kryhet në një burg të sigurisë së zakonshme. /Panorama/