Një 61-vjeçar nga Tirana arrestohet nga policia, pasi ka shkelur urdhrin e mbrojtjes dhe ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj gruas, madje e ka kanosur edhe me thikë për ta vrarë. Bashkëshortja e tij ishte e pajisur me një urdhër mbrojtje pas dhunës fizike të përsëritur ndaj saj.

Njoftim i plotë Tiranë;

Shkel urdhrin e mbrojtjes dhe kërcënon me thikë për vrasje bashkëshorten, në banesë, por falë reagimit të shpejtë të Policisë vihet në pranga 61-vjeçari.

Sekuestrohet një mjet prerës(thikë), me të cilën ka kanosur bashkëshorten.

Pas njoftimit të marrë se shtetasi F. B. kishte shkelur urdhrin e mbrojtjes dhe kishte shkuar në banesën e bashkëshortes dhe pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike e ka kanosur me thikë për ta vrarë, shërbimet e Komisariatit Nr. 2 kanë reaguar menjëherë duke parandaluar ngjarjen dhe duke vënë në pranga 61-vjeçarin.

Bashkëshortja e këtij shtetasi ishte e pajisur me urdhër mbrojtje nga Gjykata, pasi 61-vjeçari kishte ushtruar në mënyrë të përsëritur dhunë fizike e psikologjike ndaj saj.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.