Autoritetet italiane kanë arritur të vënë në pranga dy shqiptarë, përkatësisht 24 dhe 35 vjeç, me inicialet N. F. dhe X.G, kushërinj mes tyre, pasi ju është gjetur një sasi e konsiderueshme lënde narkotike e llojit marijuanë dhe kokainë, si dhe 120 mijë euro.

Mediet italiane raportojnë se dy shqiptarët banonin në Ravena të Italisë, ndërsa u janë sekuestruar 16 kg marijuanë, rreth 6 kg kokainë si dhe 120 mijë euro. Mësohet se 35-vjeçari ishte i dëbuar nga autoritetet italiane, por pasi kishte ndryshuar mbiemrin pas martesës, ishte kthyer sërish.

Po ashtu, mediet italiane shkruajnë se paratë dhe droga e sekuestruar janë gjetur të ndara në makinë dhe në banesën e tyre. Ka qenë mosjustifikimi i parave që u janë gjetur në makinë, ajo që ka shtyrë policinë që të kontrollojë në banesën e tyre, ku përpos drogës dhe parave, policia kishte gjetur edhe armë.