Gjatë kontrolleve në doganën e portit të Barit në automjetin e dy shqiptarëve që vinin nga Holanda me destinacion Shqipërinë, u gjetën rreth 7 kg kokainë e mbi 150 mijë euro cash. Kështu ranë në pranga dy kamionistë shqiptarë 30 e 44 vjeç, nën akuzën e trafikut ndërkombëtar të drogës. 

Kamioni transportonte patate të ngrira nga Holanda në Shqipëri e tranzitonte përmes portit të Barit. Lënda narkotike së bashku me paratë ishin fshehur në një vend të modifikuar enkas në kabinën e shoferit. 

Kokaina ishte e konfeksionuar në 6 pako, ndërsa paratë cash ishin në bankonota në prerje 20 e 50 euroshe.

Dy shtetasit shqiptarë janë vënë në pranga e janë në dispozicion të autoriteteve gjyqësore italiane në burgun e Barit.