Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe narkotikëve.

Një 45-vjeçar i identifikuar si Adnad Gaxheri është vënë në pranga nga policia e Tiranës pasi qarkullonte me armë zjarri me vete dhe posedonte lëndë narkotike.

Operacioni policor i koduar “Fresku”, u finalizua nga Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë.

”Bazuar në këto informacione është organizuar, zhvilluar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Fresku”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. G., 45 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë operacionit, nga kontrolli fizik në çantën e dorës, këtij shtetasi iu gjet një armë zjarri pistoletë dhe një sasi e vogël lëndë narkotike e dyshuar kokainë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërsa gjatë kontrollit në banesë këtij shtetasi iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një tjetër armë zjarri pistoletë me fishekë në fole gati për qitje, një armë gjahu shotgun dhe një sasi fishekësh luftarak.

Materialet i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.