Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë sot masën e sigurisë "arrest me burg" për Gentian Dodën, 41-vjeçarin që u ekstradua nga Anglia tre ditë më parë. Ai akuzohet se ka korruptuar gjyqtarin Shkëlqim Miri, duke i dhënë atij 30 000 euro me qëllim ndryshimin e vendimit të gjykatës, e cila e kishte dënuar me 20 vite burg.

Sipas prokurorisë, ka rezultuar se në këmbim të ryshfetit, gjyqtari Miri, në vitin 2016 i ka ndryshuar veprën penale 41-vjeçarit, duke i ulur atij dënimin me 20 vite burg për një vrasje të dyfishte në vitin 1997 në Burrel.

Pas këtij vendimi, më 7 korrik të vitit 2017, Doda fitoi lirinë, duke dalë nga burgu. Në po këtë vit në nëntor, Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprën penale "Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe funksionarëve të drejtësisë".  

Gjatë asaj kohe në pranga u vu edhe gjyqtari Shkëlqim Miri me akuzën e korrupsionit, pasi kontrolli në banesë i gjeti një shumë e konsiderueshme parash, të cilat u sekuestruan nga Prokuroria. Një vit më vonë ai u dënua me 2 vjet e 6 muaj burg nga Shkalla e Parë me akuzën e korrupsionit, por pas apelimit përfitoi ulje të dënimit duke fituar më pas lirinë.

Ndërkohë mediat britanike i kanë kushtuar një artikull të plotë Dodës, ku sipas tyre ia kishte dalë të hynte dy herë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Në artikullin e saj, "Daily Mail" shkruan se Doda është pjesë e bandës së rrezikshme "Kola" e ai u bë një nga të arratisurit më të kërkuar të Evropës pasi vrau dy persona në Burrel në 1997-n.