Të hënën një 61-vjeçar nga Kosova duhej të përgjigjej përballë gjykatës rajonale të St. Galler, pasi akuzohej për vrasjen e kushëririt të tij në rrugë të hapur në vitin 2016, shkruan tagblatt.ch.

Rezymeja e ngjarjes

Haki S. pak përpara orës 5.00 ishte nisur të shkonte në punë. 42-vjeçari vinte shpesh ilegalisht në Zvicër për të punuar. Të njohurit e paraqitnin atë si miqësor dhe të respektueshëm. Kur ai doli nga shtëpia, kushëriri e priti me një armë. Nga një distancë prej 10 ose 20 centimetra 61-vjeçari qëlloi në kokë Hakiun. Pasi tërhiqet pak, ai qëllon edhe njëherë me një plumb tjetër të afërmin e vet. Kësaj here, Hakiu bie në tokë dhe vdes.

Rrëzimi misterioz nga ballkoni

Sulmuesi i dyshuar më vonë pretendoi se Haki S. kishte pasur marrëdhënie intime me gruan e tij, andaj mori vendimin e rëndë. Por gruaja e tij nuk mund të pyetej për këtë, pasi ajo ishte rrëzuar fatalisht nga ballkoni në Kosovë, ku edhe ndërroi jetë.

Të afërmit dhe miqtë e Haki S. e përshkruajnë këtë pretendim të shpifur. “Bashkëshortja me Hakiun ishte kushërinj dhe shumë më e vjetër se sa ai,” tha një mik i viktimës. “Kurrë nuk kishin marrëdhënie ata të dy.” Ata pretendojnë se gjithçka ka ndodhur për para.

Hakiu i kishte besuar kushëririt të tij prej disa vitesh rreth 100 mijë franga”, thotë i afërmi i viktimës. “Pasi ai ishte ilegalisht në Zvicër, nuk mund të hapte llogari bankare.”

Në këto kushte, i dyshuari për vrasje kishte keqpërdorur paratë e tij, përkundër faktit se gruaja i kishte kërkuar që Hakiut t’i kthehen paratë.

Ç’vendosi Prokuroria dhe ç’tha avokati

Të martën u mbajt seanca e parë kundër 61-vjeçarit. Ai jeton prej kohësh në rajon dhe ka një familje me katër fëmijë. Prokuroria e dënoi me 18 vjet heqje lirie për shkak të vrasjes. Drejtësia zvicerane nuk ka gjetur prova që gruaja e tij të ketë pasur lidhje intime me viktimën, ndërsa vrasësi pretendon se kishte blerë mjete teknologjike për të vëzhguar gruan. Ai kishte qenë tepër xheloz, shkruan tagblatt.ch.

Avokati i tij kërkoi një dënim maksimal prej 10 deri 12 vjet burg, për shkak se klienti i tij kishte qenë në “gjendje emocionale” gjatë veprimit. Gjykata do e bëjë publike vendimin në ditët e ardhshme.