Policia e Durrësit sqaron përmes një reagimi publik një video të publikuar në rrjete sociale për shoqërimin në komisariat të një shtetasi.

Sipas policisë, shtetasi S.M. dhe pasagjeri R.T. janë shoqëruar në komisariat pa ushtruar dhunë ndaj tyre. Mbi të dy shtetasit rëndon akuza për veprën penale "Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik ".

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale ku paraqitet një shtetas, i cili është shoqëruar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, ju sqarojmë se:

Shërbimet e Policisë, në zbatim të detyrave funksionale, kanë ndaluar shtetasin S.M., për të kryer verifikim të dokumentacionit të mjetit.

Shtetasi i mësipërm nuk i është bindur urdhërit të punonjësve të policisë për të treguar dokumentacionin e mjetit, por i ka kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme.

Edhe pasagjeri në mjet, shtetasi R.T., ka kundërshtuar punonjësit e policisë për t'i ardhur në ndihmë drejtuesit të mjetit me qëllim që drejtuesi i mjetit të mos kryente testin e alkoolit dhe të shmangte verifikimin e dokumentacionit të mjetit.

Në vijim të dy shtetasit janë shoqëruar forcërisht në ambientet e Komisariatit të Policisë, pa ushtruar në asnjë moment dhunë fizike ndaj tyre.

Drejtuesit të mjetit i është bërë testi i alkoolit nga punonjësit e qarkullimit rrugor dhe u konstatua se drejtonte mjetin nën ndikimin e alkoolit 0.38 mg/l.

Konform procedurave ligjore shtetasi S.M., (drejtuesi i mjetit) është proceduar për veprën penale "Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik", si dhe i është pezulluar leja e drejtimit.

Gjithashtu edhe shtetasi R.T., (pasagjer në mjet) është proceduar për veprën penale "Mosbindja ndaj urdhërit të punonjësit të policisë së rendit publik ".

Policia e Durrësit është e angazhuar në zbatim të ligjit me qëllim, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë për të krijuar një ambient shoqëror sa më të sigurtë dhe fton cilindo që konstaton abuzim me detyrën nga ana e punonjësve të policisë që të telefonojë në numrin 112, apo në numrin 0800 90 90, si dhe të dërgojë imazhe në Komisariatin Dixhital, duke ju garantuar anonimat të plotë dhe një reagim të shpejtë e të paanshëm.