Mediat italiane kanë publikuar sot edhe dëshmitë e para për ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së shtunës, kur një vajzë shqiptare, që sipas tyre dyshohet të ishte prostitutë në Torino është dhunuar barbarisht brenda një makine dhe është hedhur prej saj ndërsa ishte në ecje e sipër.

Sipas “La Repubblica”, dyshohet se vajza e re që vdiq vetëm në një shtrat spitali në Moncalieri, bënte prostitutën. Pikërisht në këtë drejtim po hetohet edhe nga policia.

Çfarë ndodhi mbrëmjen e së shtunës? Mos vallë hyri në makinën e gabuar? Apo dikush ka dashur që ajo të ketë këtë fat?

Mediat italiane shkruajnë me tej se nga mënyra se si është hedhur duket qartë që personat në fjalë kanë pasur qëllim ta vrisnin, pa dyshuar se dikush mund t’i kishte parë.

Hetuesit ndër të tjera po mundohen të rindërtojnë të gjithë ngjarjen, se në çfarë vendi mund të jetë ngjitur ajo në makinë. Ata shpresojnë që duke identifikuar makinën të marrin edhe pamjet e para të kamerave të sigurisë, brenda së cilës ndodhet edhe agresori.