Të tjera detaje kanë dalë lidhur me ngjarje e rëndë që ndodhi këtë mbrëmje në Kamzë, ku pronari i një dyqani u vra, ndërsa mbeti e plagosur gruaja e tij.

Dy persona të maskuar dhe të armatosur janë futur në dyqan për të grabitur, ku kanë kërkuar paratë, por kanë hasur në rezistencë nga ana e pronarëve.

Kjo ka bërë që autorët të qëllojnë në drejtim të tyre, duke plagosur burrë e grua.

Në vendin e ngjarjes ka mbërritur ambulanca, ku është bërë e mundur dërgimi i tyre në spital, por fatkeqësisht pronari i dyqanit ka humbur jetën.

Bëhet fjalë për Agim Bucin, 52 vjeç, ndërsa gruaja e tij, Merita Buci, 44 vjeçe, ka mbetur e plagosur dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Një person është shoqëruar lidhur me ngjarjen, ndërsa pika të shumta kontrolli janë ngritur nga policia.

Buci, aty ku kishte dyqanin kishte edhe banesën, ndërsa zona është pa ndriçim, çka ka favorizuar që autorët e krimit të arratisen po u kapur nga policia.

“Në rrugën “OSBE”, janë plagosur me armë zjarri në një dyqan shtetasit A. B., dhe M. B., (burrë dhe grua) nga persona ende të paidentifikuar. Janë ngritur pika kontrolli në çdo rrugë dhe hyrje – dalje të Kamzës e në pika të tjera. Vazhdon krehja e zonës dhe kontrolli i territorit. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit / ve”, thuhet në njoftimin e policisë.