Gjykata e Vlorës vendosi mëngjesin e sotëm masën e sigurisë "Arrest në burg" për Eduart Xhezo, i cili u arrestua pak ditë më parë nga Policia e Durrësit, pas një ndjekjeje si nëpër filma.

Shtetasi Eduart Xhezo, sipas bluve “është person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe armëmbajtjes pa leje, i dënuar më parë për tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje pa leje”.

Policia e Durrësit në bashkëpunim me Policinë e Tiranës vuri në pranga këtë person i njohur për rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve ndaj personit.

Ai akuzohet per ngjarjen e datës 4 gusht në zonën e plazhit të vjetër në Vlorë, ku mbeti i vrarë Arben Beqiraj. Masa e sigurisë është zhvilluar në gjykatën e faktit në Vlorë, me gjyqtare Herila Cela. Prokuror i çështjes është Hyrjet Lamaj.

Xhezo u arrestua pak ditë më parë në Durrës, pasi akuzohet për veprat penale "Vrasje në rrethana cilësuese” dhe “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit".