Gjykata e Apelit Tiranë, me trupë gjyqësore të kryesuar nga Ridvan Hado, ditën e sotme u ka dhënë lirinë mjekëve Viktor Marku dhe Besim Lama, të cilët mjekuan Eduart Lamajn.

Masa e sigurimit “arrest në burg” u ndryshua në “detyrim për paraqitje në policinë gjyqësore”.

Pavarësisht ndryshimit të masës, mjekët përmes avokatëve të tyre, do të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë, ku do të kërkojnë revokimin e masës së sigurimit, e cila do t’i hapte rrugën pushimit të çështjes në ngarkim të tyre me pretendimin që fakti nuk përbën vepër penale.

Mjekët Besim Lama dhe Viktor Marku dyshohet se morën një shumë prej 10 mijë eurosh për të operuar Lamajn në një klinikë private pa e denoncuar. Në këto kushte policia i vuri në pranga për akuzat “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Por avokatët mbrojtës të mjekut ortoped nga Lezha dhe kirurgut të Spitalit të Traumës pretendojnë se klientët e tyre nuk kishin dijeni se ai ishte vrasës i dyshuar.

Eduart Lamaj akuzohet për ekzekutimin e bizmeneve Paulin Gjergji dhe Bujar Likaj më 30 maj në një hotel të Kurbinit. Për ngjarjen është arrestuar dhe Ilir Xhepaj (Likaj), ndërsa mbeten në kërkim Elson Aliaj apo (Oltion Vlashi) dhe Klaudio Perkola.