Është liruar nga burgu Ermal Hoxha. Nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, ka lënë qelinë plot tre ditë më parë.

Ermal Hoxha u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda në korrik të 2017 me 10 vite burgim me gjykim të shkurtuar, së bashku me anëtarët e tjerë të grupit ‘Xibraka’. Nga gjykimi i shkurtuar dënimi zbriti në 6 vite dhe 8 muaj burgim.

Nipi i Enver Hoxhës, Ermal Hoxha, ishte mes 9 të arrestuarve të akuzuar për “Trafik droge” dhe pjesë e grupit të strukturuar kriminal. Ai u arrestua pasi më parë ishte filmuar nga agjentët e policisë në laboratorin e drogës në Xibrakë të Elbasanit. Ai kishte vizituar vendin ku përpunohej pluhuri i bardhë dhe kjo e ka implikuar. Në shtëpinë e vjehrrit në Durrës, u gjendur edhe automjeti i tij tip “Volvo” me ngjyrë blu, e cili iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm nga ana e specialistëve të antidrogës.