Një aksident është regjistruar në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në fshatin Podgorie.

Në informacionin paraprak shpërndarë për mediat, policia bën me dije se “shtetasi A.B, duke drejtuar një mjet motor dyshohet të jetë përplasur me një mjet bujqësor me drejtues shtetasin E.M”.

Si pasojë e përplasjes, kanë mbetur të plagosur drejtuesi i motorit shtetasi A.B dhe shtetasi Xh.B, pasagjer në motor.

Ata janë dërguar në Spitalin e Pogradecit, ku ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Gjithashtu shtetasi E.M, është shoqëruar në ambientet e Komisariatit për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit, si dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.