Një ditë pas atentatit në Lushnjë ku mbetën të vrarë dy persona, policia ka shoqëruar nipin e Aldo Bares, Xhulio Shkurti, si personi që mund të ketë dijeni për ekzekutorët apo për rrethanat e ngjarjes.

Para univormave blu, Shkurti mësohet të jetë shprehur se nuk ndodhej në vendin e ngjarjes dhe se ishte larguar 10 minuta para masakrës. Ai ka pohuar se është kushëri me një prej viktimave, ndërsa me tjetrin kishte njohje.

Deri në këto momente autoritetet mësohet se po hetojnë në dy pista, atë të hasmërisë që lidhen me familjen e Aldo Bares, ndërsa pista e dytë është përplasja për çështje droge në Itali dhe Holandë mes viktimave dhe ekzekutorëve të tyre.

Dy të rinj mbetën të vrarë dhe 2 persona të tjerë u plagosën pranë shëtitores së qytetit të mbushur plot me kalimtarë për shkak të orarit të shëtitjes. Dëshmitarët thanë se 3 persona hapën zjarr nga një makinë tip Benz, ndërsa një i katërt qëndronte në timon. Të gjithë ishin të maskuar.

Nga ky atentat mbetën të vrarë Zamir Latifi 23 vjeç dhe Jurgen Hoxha 22 vjeç.