Autoritetet italiane kanë vënë nën hetim për vrasjen e Shpëtim dhe Teuta Pashos edhe dy persona të tjerë përveç 36-vjeçares nga Durrësi, Elona Kalesha tashmë të arrestuar.

Bëhet fjalë për djalin e çiftit të masakruar, Taulant Pashon dhe vëllain e të resë, 32-vjeçari Denis Kalesha i cili ndodhet në një burg në Massa. 

Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane, në apartamentin ku dyshohet se u vra çifti ka gjurmë të ADN-së edhe të këtyre dy personave. Prandaj pritet që në vijim të bëhet krahasimi i gjurmëve.

Deri më tani e arrestuar në lidhje këtë ngjarje është Elona Kalesha, megjithatë është ende e paqartë nëse ajo ka vepruar vetëm. Ka dyshime se ajo nuk i ka vrarë vetëm Shpëtim dhe Teuta Pashon.

Sipas Corriere della Sera gishti drejtohet edhe ndaj djalit, Taulantit, për shkak të një shume parash prej 40-50 mijë eurosh që çifti Pasho mbante me vete, i cili aktualisht ndodhet në një burg në Zvicër për vjedhje.

Shpëtim dhe Teuta Pasho u zhdukën në nëntor të vitit 2015. Trupat e pajetë të tyre u gjetën vitin e kaluar në dhjetor të copëtuar dhe të futur në disa valixhe.