Merr biçikletën për të bërë një xhiro prove dhe ia mbath pa paguar!

Kështu e ka pësuar një tregtar nga Durrësi, i cili është mashtruar nga një i ri, rreth të tridhjetave.

Ngjarja është regjistruar ditën e shtunë, në mes të ditës, rreth orës 12.45, në afërsi të tregut industrial në Durrës.

Në një dyqan që shet biçikleta është paraqitur një i ri, i interesuar për të blerë një të tillë. Pasi ka parë disa prej tyre, ai i ka thënë pronarit të dyqanit se donte të provonte njërën prej tyre (biçikleta në foton poshtë).

Në mirëbesim, tregtari ia ka dhënë duke menduar se djali do të bënte një xhiro në rrugën pranë tregut.

“Hipi në biçikletë dhe nisi të largohej. Unë e ndoqa, i thirra, por arriti të më humbte nga sytë në afërsi të drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore. E vetmja gjurmë që kam nga hajduti janë disa foto të shkëputura nga kamerat e sigurisë të bizneseve nga rrugët që ai përshkoi. E kam denoncuar rastin në polici dhe po e denoncoj edhe në media. Ndoshta dikush do ta njohë”,- rrëfen tregtari për DurrësLajm.

Ai tregon se nuk i ka shkuar aspak në mendje se djali i ri që iu paraqit në dyqan kishte ndërmend t’ia vidhte biçikletën dhe ka mbetur i habitur nga guximi i treguar nga hajduti që veproi në mes të ditës, në një zonë shumë të populluar dhe me mjaft lëvizje të qytetit të Durrësit.