Një 29-vjeçar, banues në Shtiqen dhe dy punonjës të doganës së pikës kufitare të Morinës kanë rënë në prangat e policisë për kontrabandë mallrash.

Të arrestuarit janë shtetasit:

-G.Sh., 29 vjeç, banues në Shtiqen, Kukës.

-H. B., 59 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë doganier në Doganën e Morinës.

-B. V., 47 vjeç, banues në Kukës, me detyrë doganier në Doganën e Morinës.

Siç bën me dije policia, "arrestimi i shtetasit G. Sh., u bë pasi, në aksin rrugor Morinë – Kukës nga shërbimet e DVP, është ndaluar automjeti tip “Iveko” fugon mallrash, me drejtues shtetasin e mësipërm, i cili kishte të ngarkuara 267 pako lëndë plastike (materiale ndërtimi), pa dokumenta shoqëruese".

Pas veprimeve hetimore rezultoi se ky shtetas ka hyrë nga PKK Morinë, pa kryer detyrimet doganore.

Ndërsa dy doganierët janë arrestuar, pasi duke qenë në detyrë, nuk kanë kryer veprimet për zhdoganimin e mallit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti së bashku me mallin.

Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.