Sot i jepet lamtumira e fundit Kostandino Kaçifas, trupin e të cilit e mori familja një ditë më parë. Ceremonia mortore do të mbahet në orën 14:00 në fshatin Bularat të Dropullit në Gjirokastër.

Prindërit, miqtë, të afërm, por dhe mbi 2000 qytetarë grekë kanë mbërritur me autobusë në fshatin Bularat.

Policia ka ushtruar kontrolle të rrepta në kufi për personat që do të marrin pjesë në ceremoninë mortore. Policia shqiptare në bashkëpunim me atë greke kanë përpiluar një listë për të shmangur personat me prirje ekstremiste të marrin pjesë. Kontrollet janë kryer në të 2 doganat.

Në Bularat policia nuk do të jetë e pranishme me uniformë për të shmangur ndonjë provokim të mundshëm.

35-vjeçari Kaçifas u vra nga forcat speciale të RENEA më 28 tetor në fshatin Bularat.