I ka ofruar bukë dhe strehim një personi të shpallur në kërkim nga policia, por ka përfunduar për vete i ndjekur penalisht.

Kjo i ka ndodhur një 23-vjeçari nga Shijaku, i akuzuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Mësohet se 23-vjeçari F.Gj. ka ndihmuar shtetasin K.Gj. për t’i shpëtuar arrestimit.

Ky i fundit është shpallur në kërkim nga policia, por ka arritur t’i shpëtojë prangosjes falë ndihmës së ofruar nga 23-vjeçari që krahas strehës, i ka siguruar edhe ushqime.

Policia e Durrësit tregohet e rezervuar në dhënien e informacioneve dhe nuk jep detaje më të hollësishme lidhur me akuzën që rëndon mbi personin e kërkuar nga policia dhe nëse tashmë ai ka përfunduar a jo në pranga.

Njoftimi i policisë

Më datë 09.10.2017, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për shtetasin F.GJ, vjeç 23, banues në Shijak, pasi dyshohet se nga veprimet e kryera rezulton se ka ndihmuar personin në kërkim shtetasin K.GJ, me ushqime dhe strehim me qëllim për t’i shpëtuar arrestimit. Neni 302 i Kodit Penal.