Gjatë operacionit të arrestimeve të së dielës në pranga ka rënë dhe Altin Isaraj, vëllai i Drejtorit të  Përgjithshëm të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Arben Isarajt.

47-vjeçari është arrestuar për “trafikim të armëve dhe municioneve” dhe “shpërndarje të lëndëve narkotike”.

“Më datë 20.10.2018, u arrestua në flagrancë shtetasi A.I. vjeç 47, banues në Tiranë, për veprat penale parashikuar nga nenet 283/1 e 278/1 të Kodit Penal”, informoi shkurt policia e Tiranës.

Ndërkohë gazetari Basir Çollaku përmes një postimi në “Facebook”, shkruante se ky arrestim po mbahej i fshehur dhe ngriti disa pyetje.

Ish-zëvendësministri i Drejtësisë, Arben Isaraj është emëruar vitin e kaluar drejtor në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor duke zëvendësuar në këtë detyrë Ylli Spahiun nga radhët e LSI-së. Emërimi i Isarajt në këtë detyrë erdhi nga kryeministri Edi Rama.