Një 17-vjeçar është arrestuar nga policia pasi ka tentuar të grabisë me maskë dhe me armë zjarri një taksist.

Ngjarja ka ndodhur rreth orë 15:30 të ditës së djeshme, ku i riu S. H., 17 vjeç, lindur në Gramsh dhe banues në Elbasan ka tentuar të grabisë me armë shtetasin G.M., 51 vjeç, banues në fshatin Kuqan, që ka qenë duke lëvizur me automjetin e tij taksi të markës "Benz Mercedes".       

Në njoftimin për mediat policia sqaron se arrestimi i adoleshentit u bë pasi në Sallën Operative të Komisariatit të Policisë Elbasan, erdhi një telefonatë nga një qytetar, për një tentativë grabitjeje me armë dhe maskë të një automjeti, në dalje të fshatit Kërcyk, Njësia Administrative Tregan.

Nga kontrolli i ushtruar, 17-vjeçarit të arrestuar iu gjetën në një çantë sportive me ngjyrë të zezë, një armë zjarri pushkë model 56, 25 fishekë model 56, një maskë me ngjyrë të zezë, një palë doreza të cilat ky shtetas i përdorte për të realizuar grabitjet.

Po punohet edhe për dokumentimin ligjor të ngjarjeve të tjera të ndodhura në këtë zonë.