Policia e Durrësit në bashkëpunimet me atë të Shijakut ka goditur një tjetër rast të armëmbajtjes pa leje.

Qarkullonte me automjet me targa të vjedhura dhe mbante armë zjarri me vete, kapet dhe arrestohet në flagrancë 21-vjeçari Geri Metaj me precedent të mëparshëm penal.

Forcat blu kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri dhe municion luftarak.

NJOFTIMI I POLICISË

Shërbimet e Operacionales në DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete dhe si rezultat i kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë, arrestuan në flagrancë shtetasin:

G. M., 21 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për vjedhje.

Shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Sallmone”, Shijak, kanë ndaluar mjetin tip “Mercedez Benz”, i cili rezultoi me targa të vjedhura, me drejtues shtetasin G. M. dhe pas kontrollit të ushtruar, në derën e automjetit u gjet një armë zjarri pistoletë “TT”, me dy karikatorë me 14 fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi me burgim deri në 7 vjet.