Finalizohet operacioni “Mision i pamundur”, i cili ka parandaluar një ngjare të mundshme kriminale.

Policia ka arrestuar një 48-vjeçar i cili nga Tirana në drejtim të qarkut Shkodër lëvizte me armë me vete dhe motomjet pa targa.

Forcat blu i kanë sekuestruar një armë zjarri automatik “Scorpion” me silenciator dhe 20 fishekë, me të cilën dyshohet se do kryente një vrasje.

Dyshohet se ky shtetas është përdorur nga grupe kriminale për vrasje me pagesë.

NJOFTIMI I POLICISË

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, pas informacioneve të marra në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me një motomjet pa targa i cili kishte armë me vete dhe dyshohej se mund të kryente një vrasje të porositur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Mision i pamundur”.

Falë ndërhyrjes në kohë, në fshatin Guri i Zi, forcat e Policisë të DVP Shkodër, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”, kanë bërë të mundur kapjen e shtetasit G. B, 48 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për mashtrim dhe dhunë në familje.

Në momentin e kapjes, këtij shtetasi, në një çantë krahu që mbante me vete i është gjetur një armë zjarri automatik “Scorpion” me silenciator dhe 20 fishekë luftarak.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar arma e zjarrit dhe motomjeti pa targa.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër vijon puna për zbardhjen e arsyes së qarkullimit me armë zjarri me silenciator dhe motomjet pa targa.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.