Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla në Durrës, arrestohet në flagrancë 1 shtetas që posedonte dhe shpërndante heroinë, shpallet në kërkim një tjetër.

Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave në doza të vogla dhe kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Durrës në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative,  arrestuan në flagrancë shtetasin:

J. I., 39 vjeç, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit A. V., 30 vjeç, të dy banues në Durrës.

Arrestimi i tij u bë pasi në afërsi të një lokali në rrugën “Aleksandër Goga” shtetasi J. I., është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë duke tentuar të heqë lëndën narkotike prej 12 porcionesh e llojit heroinë, në vendin ku ishte fshehur nga shtetasi A. V.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 12 porcione lëndë narkotike e dyshuar heroinë dhe 1 aparat celular.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.