Një grindje për motive xhelozie është shndërruar në një dramë në familjen e një çifti emigrantësh shqiptarë në lagjen San Fruntuoso të Xhenovas në Itali, mëngjesin e sotëm.

50-vjeçari shqiptar Arben Kosova ka goditur disa herë me thikë në gjoks gruan e tij Vojsava Kosova, 41-vjeçe, e cila ndodhet aktualisht në gjëndje mjaft të rëndë në spitalin San Martino të Xhenovas..

Kanë qenë fqinjët e çiftit shqiptar të cilët kanë lajmëruar forcat e rendit. Në mbërritjen e tyre, 50 vjeçari ndodhej i gjunjëzuar pranë trupit të gjakosur të bashkëshortes.

"Më iku truri, nuk di ç'pata"-është shprehur ai. 50-vjeçari shqiptar me profesionin murator është arrestuar me akuzën e tentativës së vrasjes.

Çifti shqiptar me origjinë nga Berati janë prindër të dy fëmijëve dhe jetojnë prej vitesh në Itali ku kanë marrë nënshtetësinë italiane.