Në lokal me pistoletë me vete, arrestohet në flagrancë një i ri në Durrës. Policia bën të ditur se në pranga ka përfunduar 19-vjeçari A.K. banues në qytetin bregdetar. 

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Policisë  i gjetën në trup një armë zjarri pistoletë “Ekol” të cilën e mbante pa leje.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës në bashkëpunim me forcën “Shqiponja”, pas informacioneve të marra se në ambientet e një lokali ndodhej një person i armatosur, organizuan punën dhe menjëherë shkuan në adresën e dhënë. Si rezultat i ndërhyrjes profesionale  nga ana e shërbimeve të Policisë u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A.K.,19 vjeç, banues në Durrës. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Policisë  i gjetën në trup një armë zjarri pistoletë “Ekol” të cilën e mbante pa leje”, – njofton policia e Durrësit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Armëmbajtja pa leje” për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vite burg.