Pas 10 vitesh në kërkim nga drejtësia shqiptare dhe ajo italiane, autoritetet kanë mundur të ndalojnë një 42-vjeçari shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar vrasje me dashje, e kryer në bashkëpunim.

Bëhet fjalë për shtetasin Ylli (Fatmir) Vangjelaj, banues në Vlorë i cili u arrestua këtë të enjte, falë shkëmbimit të informacioneve në kohë rekord midis strukturave të Policisë Shqiptare dhe asaj italiane.

Policia informon se më 25 mars të vitit 2009, Gjykata e Rrethit Vlorë ka dënuar Vangjelajn me 23 vjet burg, për veprën penale të "Vrasje me dashje kryer në bashkëpunim".

Vrasja për të cilën është dënuar 42-vjeçari është kryer në Itali në vitin 1999, si porosi e një grupi kriminal, ku është vrarë një ekuadoriane, e cila dyshohej se punonte si prostitutë. Policia thotë se 42-vjeçari i fshihej drejtësisë duke përdorur gjeneralitete të rreme.

“Gjithashtu u sekuestruan në cilësinë e  provës materiale, një automjet i markës “Wolksvagen Passat”, një leje drejtimi e cila dyshohet e falsifikuar pasi përmbante gjeneralitetet e të vëllait të personit të kërkuar, dy telefona celular. Ky shtetas iu dorëzua shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë për ekzekutimin e vendimit penal, pasi Gjykata e Vlorës ka njohur vendimin penal të Gjykatës Italiane e cila e ka dënuar këtë shtetas me 23 vite burg”, thuhet më tej në njoftimin për mediat.