Policia italiane e provincës së Raguzës në Sicili ka zbuluar se si shfrytëzoheshin 6 punëtorë shqiptarë, të cilët punonin në fermën bujqësore të bashkëkombasit të tyre, sipërmarrësit Auglent Lalollari, 33 vjeç.

Ata paguheshin pak euro në ditë, pa kontratë pune e kushte higjenike mjaft të këqija duke jetuar mes minjve e insekteve. Mes punonjësve shqiptarë ishte edhe një grua shtatzënë e detyruar të punonte në një femrë patëllxhanash në një temperaturë mbi 40 gradë.

Ndaj sipërmarrësit Auglent Lalollari është lëshuar urdhëri i arrestimit për shfrytëzim në punë, kërcënim e zhvatje. Me të njëjtën akuzë është denoncuar dhe babai i tij.

Gjithashtu sipërmarrësi shqiptar akuzohet dhe për vjedhje të energjisë elektrike. Në fermën e 33-vjeçarit janë gjetur dhe disa objekte të vjedhura si një motor etj.