Minatorët së bashku me disa anëtarë të sindikatës janë mbledhur sot në një protestë para godinës së kryeministrisë. Ata kanë kërcënuar me grevë urie nëse nuk do të merren në konsideratë kërkesat e tyre për miratimin e statusit deri me 22 shkurt.

"Futemi në grevë urie po nuk u miratua statusi. Do të futemi në grevë urie më datë 22 shkurt. Kemi 12 vjet që kërkojmë statusin", u shprehën minatorët.

Ata u shprehën se jeta e tyre ka hyrë në një "ferr të vërtetë" dhe për këtë parashtruan një sërë kërkesash si më poshtë:

"Të detyruar të ngremë zërin për të siguruar një jetë më të mirë për veten tonë dhe familjet tona, parashtrojmë kërkesat tona si më poshtë:

  1. Të miratohet statusi i minatorit;

  2. Të rriten pagat dhe të jepet leje vjetore me të drejtë page;

  3. Renta minerale t’i kthehet si e ardhur Bashkisë dhe të përdoret në Bulqizë;

  4. Të sigurohen kontrolle shëndetësore dy here ne vit dhe pa pagesë, duke pasur parasysh se minatorët vuajnë nga sëmundje profesionale. Gjithashtu minatorëve tu rimburohen ilaçet 100%;

  5. Paga minimale e punëtorëve të cilët punojnë në minierat e nëntokës të mos jetë më poshtë se shuma 70 mijë lek të reja;

  6. Të përmirësohen kushtet e punës."