Një burrë 53-vjeçar nga Tirana, 5 vite më parë ka hapur një llogari bankare në dollarë në një bankë të nivelit të dytë në Durrës.

Ai ka depozituar aty një shumë të konsiderueshme dollarësh. Por ajo çfarë i ka ndodhur e ka lënë pa fjalë dhe e ka detyruar t’i drejtohet policisë për të bërë denoncimin përkatës.

Policia e Durrësit njofton se 53-vjeçari R.D. me banim në Bathore, në vitin 2013 ka derdhur në një llogari bankare në një bankë të nivelit të dytë në qytetin e Durrësit, një shumë të konsiderueshme dollarësh.

Por 5 vite më pas, ai ka konstatuar se llogaria e tij ishte e boshatisur.

Nga hetimet paraprake të kryera, rezultoi se me anë të falsifikimit të firmës nga banka, paratë janë transferuar tek një firmë private në Kukës.

Ky hetim do të bëhet më i zgjeruar nga Prokuroria e Durrësit, për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”.

Një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe me një 27-vjeçare nga Durrësi,

Shtetësja N.Z, banuese në Durrës, ka denoncuar në polici se në një bankë të nivelit të dytë, dega Durrës, nëpërmjet të falsifikimit të dhënave e mashtrimit kompjuterik, në llogarinë e saj kanë tërhequr një shumë lekësh.

Policia e Durrësit ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.