Një 36-vjeçar i cili ishte në arrest shtëpie, është vënë në prangat e policisë së Elbasanit.

Kelmend Xhaferri u arrestua në flagrancë, ndërsa me vete kishte një pistoletë me 15 fishekë.

Gjykata për Krimet e Rënda e kishte lënë Xhaferrin në arrest shtëpie, por ky fakt nuk e ka penguar që të lëvizte lirshëm nëpër qytet.

Policia bën me dije se ai u arrestua në lagjen “5 Maji” në rrugën “Lef Nosi”, teksa po drejtonte një automjet tip “Porsche”. Në momentin që është ndaluar nga shërbimet e policisë, ka hedhur armën e zjarrit në tokë dhe ka tentuar të largohet, por s’ka mundur dot pasi është arrestuar në flagrancë nga blutë.

Grupi hetimor ka sekuestruar armën e zjarrit pistoletë tip “Bereta”, me një krehër të vendosur në trup me 15 copë fishekë, si dhe automjetin tip “Porsche”.

Ndaj këtij shtetasi Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë me vendim Nr. 393 datë 22.09.2017, ka vendosur masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për veprën penale “Prodhim e mbajtje pa leje të armëve sportive”.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.