Finalizohet operacioni “Koordinimi” nga Njësia e Posaçme e Kërkimit “Fast”, në bashkëpunim me Interpol Tirana dhe Komisariatin e Policisë Nr. 1, Tiranë.

Kapet dhe vihet në pranga një 26-vjeçar i kërkuar nga autoritetet e drejtësisë austriake, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.

NJOFTIMI I POLICISË

Në kuadër të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes Njësisë së Posaçme të Kërkimit “Fast”, me strukturat homologe të vendeve evropiane që bëjnë pjesë në rrjetin ENFAST, si dhe pas koordinimit të veprimeve me Interpol Tiranën dhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 1, Tiranë, Njësia e Posaçme e Kërkimit “Fast”, organizoi dhe finalizoi operacionin policor “Koordinimi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi i shtetasit :

Gersi Halili, 26 vjeç, lindur në Peshkopi, banues në Tiranë (me qera) me shtetësi Austriake.

Njësia e Posaçme e Kërkimit “Fast”, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, bëri lokalizimin e vendndodhjes së këtij shtetasi dhe falë veprimeve profesonale të kryera gjatë operacionit vuri në pranga në lagjen “Ali Demi”, tek tregu elektrik, 26-vjeçarin e kërkuar nga autoritet e drejtësisë austriake për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope”.

Maksimumi i dënimit për këtë vepër deri në 15 vite heqje lirie. Vijojnë procedurat ligjore për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Austrisë.