Operacioni "Muzgu" ka prangosur një shtetas shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar për “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Emigracion i paligjshëm”.

Mësohet se bëhet fjalë për shtetasin e identifikuar si Ardjan Nexhipi alias Ardian Alliaj. 

NJOFTIMI I POLICISË

Lokalizohet, kapet dhe arrestohet përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një 51-vjeçar shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane për “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Emigracion i paligjshëm”.

Seksioni i Kërkimit pranë Sektorit të Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale në DVP Tiranë, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, në bashkëpunim me Interpol Tirana, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Muzgu”, për kapjen e një shtetasi shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia Italiane.

Si rezultat i operacionit, në rrugën e Dibrës, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit:

A. N., alias A. A., 51 vjeç, lindur në Cakran, Fier dhe banues në Tiranë.

Ndaj këtij shtetasi, autoritetet gjyqësore italiane kanë lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar, për veprat penale "Shfrytëzim i prostitucionit" dhe "Emigracion i paligjshëm”.

Veprimet e mëtejshme për ekstradimin e këtij shtetasi drejt shtetit italian do të kryhen nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën.